Nga Keze Kozeta Zylo
Në mjediset e Hotelit “Hilton” në Staten Island, gratë e veshura me shije, elegance dhe plot gëzim vinin grupe grupe për të festuar së bashku Ditën Ndërkombëtare të Gruas dhe të Mësuesit. Tavolinat me lulet shumëngjyrëshe në çdo tavolinë sillnin dhe më shumë atmosferë dhe bukuriza në këtë mbrëmje kushtuar grave.
Tri zonja të nderuara dolën në skenë dhe përshëndetën të pranishmit duke iu uruar atyre festën e mësuesit dhe të grave.
Zonja Melinda Gjeloshi një aktiviste e mirënjohur në Diasporë dhe për një kohe të gjatë në grupin e drejtimit të Shoqatës “Ana e Malit” si n/kryetare, në fjalën e saj midis të tjerash frymëzoi gratë që të mbrojnë të drejtat e tyre kudo ku janë dhe ta jetojnë jetën me gjithë bukurinë e saj.
Në emër të Shoqatës Kraja e cila javën e kaluar festi 30-Vjetorin e themelimit përshëndeti Zonja Venera Gjenashaj, e cila është dhe n/kryetare e shoqatës.
Në emër të Shoqatës “Ulqini” përshëndeti zonja Blerina Ahmeti, një shoqatë që u krijua vitin e kaluar dhe po punon për të realizuar me sukses programin e saj.
Të tria këto zonja nderuan gratë jo vetëm pjesëmarrëse, por të gjitha gratë shqiptare, në vendin amë, në Diaspore si dhe gratë e të gjitha racave në botë në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.
Ato thanë se po punojnë fort me programet e tyre në shoqata për t’i aktivizuar dhe më shumë gratë anëare pasi tek ato shohin një potencial të jashtëakonshëm për ta çuar shoqërinë e civilizuar dhe më përpara.
Folëset kryesore të aktivitetit thanë se kjo ditë përkujton lëvizjen për të drejtat e grave.
Ndërsa respektimi i parë i Ditës së Gruas u mbajt, më 28 shkurt 1909 në Nju Jork, 8 Marsi u sugjerua nga Konferenca Ndërkombëtare e Gruas 1910 për t’u bërë një
“Ditë Ndërkombëtare e Gruas”.
Natyrisht duke marrë pjesë me laps dhe kamera në dorë në këto aktivitete në nderim të mësueseve dhe grave në mendje më enden shumë mësuese martire që sakrifikuan për Gjuhën Shqipe. E tillë ishte Parashqevi Qiriazi, “Ylli i Mëngjesit” e lindur në Manastir (tani Maqedonia e Veriut) më 2 qershor 1880, një nga figurat kryesore të emancipimit, arsimit dhe Iluminizmit Shqiptar të fundshekullit 19-të dhe fillimit të shekullit te 20-të.
Gratë shqiptare në Diasporë bëjnë shumë përpjekje për të arritur suksesin, pasi ato janë siç ka thënë mikja e madhe shqiptarëve me origjinë hebre Madeleine Albright, sekretarja e parë grua e shtetit amerikan si: “Mësova të përpiqesha jo sepse kisha garanci për sukses, por sepse veprimi i përpjekjes është në vetvete e vetmja mënyrë për të mbajtur besimin në jetë.”
8 Marsi njihet si “Dita e Gruas”, në të gjithë botën. Madje në shtete të ndryshme kjo ditë festohet si festë kombëtare. Kjo ditë shërben jo vetëm për bashkimin e grave pa dallim feje, race, kulture, gjuhe dhe prejardhjeje, por edhe për të kujtuar përpjekjet për barazi, paqe, drejtësi dhe ndërtim në gati 10 dekada.
Në këto festë u nderuan duke i përshëndetur shoqata shkodrane “Rozafa” e cila përfaqësohej nga zonja Myzafere Aliaj, anëtare e kryesisë së shoqatës. Shtoj këtu se kjo shoqatë u krijua plot sukses muajin e kaluar.
Nderuan me pjesëmarrjen e tyre kryetari i shoqatës “Kraja” Z. Samih Kanaqi dhe z.Xhemo Lanica kryetar i shoqatës “Ulqini”.
Programi i pasur artistik e bëri dhe më të bukur dhe më vibrante atmosferën e sallës ku qindra gra vallëonin dhe gëzonin në këtë natë të shndritshme për to.
Grupet artistike si Grupi i mirënjohur “Barbana”, “Ana e Malit” u shfaqën me Vallja e Pranverës, Valle me motive nga Tropoja etj.
Një prezantim i bukur ishte dhe me Raffles me moderator Esmina Marisenoj. Fituesit morën disa çmime të cilat shkojnë në mbledhjen e fondeve.
Këngëtarët e mirënjohur si Valdet Luka, Shpresa Gojani dhe Ilir Gjecbritaj argëtuan të pranishmit me këngë e valle nga të gjitha trojet tona shqiptare.
Në këtë aktivitet ishte i ftuar TV “Alba Life” me themelues dhe producent z. Qemal Zylo. Kronika e përgatitur enkas për këtë mbrëmje do të transmetohet së shpejti në kanalet televizive.
5 Mars, 2023
Staten Island, New York